e-Albania sjell 150 shërbime online nga 41 institucione shtetërore

Publikuar më: 20-05-2015

logo e albaniaPortali i shërbimeve online të shtetit shqiptar, eAlbania, me më shumë se 150 shërbime që përfshijnë rreth 30 institucione shtetërore, është prezantuar sot në një ceremoni të veçantë ku merrnin pjesë, Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako si dhe një sërë drejtuesit të institucioneve, shërbimet e të cilëve janë përfshirë në këtë portal.

Në fakt portali i shërbimeve online ka filluar të implementohet që në 2013 ku ishin vetëm 9 shërbime ndërsa tashmë, sipas Ministres së Inovacionit janë 150 shërbime të reja. Ndër shërbimet e ofruar janë që nga gjurmimi i çështjeve gjyqësore gjer tek informacion rreth ndihmës ekonomike apo edhe kundravajtjeve rrugore si dhe të dhëna rreth taksave.

Ministrja Harito u shpreh: Portali i shërbimeve online të shtetit shqiptar është një pjesë qendrore e mozaikut të përpjekjes sonë për modernizim të qeverisjes nëpërmjet teknologjisë. Si i tillë zë një vend të veçantë në Javën e Inovacionit, e cila zyrtarisht vazhdoi deri të dielën në darkë, por praktikisht ishte aq e ngjeshur sa u shtri para e pas datave zyrtare, si prova më e mirë e krijimit tashmë të një ekosistemi inovativ, ku shteti ka rolin e vet si lokomotivë, por qëllimi është të tërheqë gjithë vagonat e ekonomisë dhe të shoqërisë në shinat e modernizimit.

Të gjithë mund të filloni që tani të navigoni në këtë portal ku informacionet rreth shërbimeve janë të shumta njëkohësisht edhe dobiprurëse. Krahas portalit bashkë me të është edhe një forum ndërtuar posaçërisht për sugjerime apo vërejtje nga ana e përdoruesve. Rregjistrimin në këtë portal mund ta bëni duke klikuar mbi shenjën “+” të logos së “e-Albania”. Ndërsa nëse dëshironi të kyçeni klikoni shenjën e profilit.

Ndër institucionet që mbështetin e-Albania me ofrimin e informacioneve mund të përmendim Këshillin e Ministrave, Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrotjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punë të Jashtme, AKEP e shumë të tjera.(PCWorld Albanian)

e-Albania sjell 150 shërbime online nga 41 institucione shtetërore
7 votes, 4.86 avg. rating (95% score)