CrossOver dhe Wine sjellin aplikacionet Windows në Android

Publikuar më: 09-10-2015

threat_primar-100008981-galleryCrossOver dhe Wine janë platforma të kompanisë CodeWeavers e cila deri më sot është njohur si ajo që bëri të mundur instalimin dhe përdorimin e aplikimeve të sistemit operativ Windows në Linux dhe Mac OS X.

Kjo kompani i ka ndihmuar vazhdimisht zhvilluesit në mënyrë që ata të sjellin aplikacionet e tyre në platforma të ndryshme duke i pajisur ato me aftësi përshtatëse. Në veçanti Wine është një projekt me kod të hapur që ka për qëllim ri-implementimin e API-së së Windows në mënyrë që të funksionojnë dhe në sistemet operativ jo Windows.

Tanimë zhvillimet e kompanisë kanë arritur një tjetër nivel. Pas arritjes së përshtatjes të aplikacioneve Windows në Linux dhe OS X, CrossOver dhe Wine janë kombinuar për të realizuar të njëjtën gjë dhe në aplikacionet Android. Kompania ka prezantuar një paraqitje paraprake të CrossOver për Android e cila do të jetë e disponueshme në fund të këtij viti. Kjo do të bëjë të mundur që në pajisjet Android të instalohen dhe funksionojnë aplikacionet që janë destinuar për sistemin operativ Windows.

Megjithatë një përshtatje e tillë e aplikacioneve nga njëri sistem operativ të tjetrin do të ketë disa kufizime. Proçesi mund të funksionojë vetëm në sistemet Android të pajisur me proçesor AMD ose të Intel. Në pajisjet me proçesor ARM kjo nuk do të funksionojë. Një problem tjetër qëndron në faktin se jo të gjitha aplikacionet priten të funksionojnë 100% normalisht në pajisjet me ekran me prekje dhe tastjerë virtual. Kjo për shkak se ato janë ndërtuar për tu përdorur përmes një tastjere të zakonshme dhe një mausi.

Ndërkohë CodeWeavers nuk ka hequr dorë nga përshtatja e sa më shumë aplikacioneve Windows në sistemet Linux apo Mac OS X. Aktualisht kompania është duke punuar mbi Direct X 11, në sajë të të cilës dhe lojrat Windows do të jenë të afta të përdoren në pajisjet Linux dhe Mac. (PC World Albanian)

CrossOver dhe Wine sjellin aplikacionet Windows në Android
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)