Autoriteti i Mediave Audiovizive miraton “Kodin e Transmetimit”

Publikuar më: 27-01-2014
Autoriteti i Mediave Audiovizive miraton “Kodin e Transmetimit”

Autoriteti i Mediave Audiovizive, institucioni rregullator i mediave në Shqipëri ka miratuar në mbledhjen e datës 27 janar 2014, “Kodin e Transmetimit”.

Miratimi i këtij Kodi plotëson kuadrin ligjor dhe nënligjor për monitorimin dhe kontrollin e të gjithë veprimtarisë së radiove dhe televizioneve në Shqipëri. Sipas deklaratës zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), miratimi i “Kodit të Transmetimit” është veçanërisht i rëndësishëm për kontrollin e imtësishëm dhe ruajtjen e standardeve për respektimin e të drejtave të njeriut, ruajtjen e privatësisë së individëve, të drejtat universale të fëmijëve dhe respektimin etik dhe ligjor nga ana e subjekteve në transmetimet e tyre.

Ky Kod ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së mediave audiovizive, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rolin e tyre në transmetimin e programeve në përputhje me respektimin e lirive e të drejtave themelore të njeriut.

AMA së bashku me Këshillin e Ankesave do të ketë tashmë mundësinë të monitorojë dhe marrë masat përkatëse kundrejt subjekteve audiovizive që shkelin etikën e transmetimit. Autoriteti i Mediave Audiovizive në zbatim të ligjit të ri "Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë" dhe pas miratimit të “Kodit të Transmetimit” do të marrë masa për shkeljet ligjore dhe etike në transmetimet audiovizive. (PCWorld Albanian)

Autoriteti i Mediave Audiovizive miraton “Kodin e Transmetimit”
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)