Lajmet

ARKEP ul çmimet e thirrjeve telefonike me shumicë mes operatorëve në Kosovë

Jan 11 2017
0 Shpërndarje
Shqiptarët e Kosovës së shpejti do të komunikojnë me njëri tjetrin me tarifa më të ulëta. Në një njoftim publikuar në faqen zyrtare, ARKEP lajmëron zvogëlimin e tarifave për thirrjet me shumicë mes operatorëve vendas. Njoftimi i ARKEP vijon si mëposhtë: ARKEP ul çmimet e thirrjeve telefonike me shumicë mes operatorëve në Kosovë

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), njofton opinionin publik se në kuadër të rregullimit të tregut të telefonisë mobile, pas një procesi intensiv të analizës së tregut dhe këshillimit publik me të gjitha palët e interesit, përkatësisht në kuadër të vendosjes së obligimeve për Operatorët me Fuqi të Ndjeshme në Treg, Bordi Drejtues i ARKEP, ka marrë vendim për zbritjen e çmimeve të terminimit të thirrjeve me shumicë ndërmjet operatorëve të telefonisë mobile sipas modelit të përshkallëzuar të bazuar në formulën e  efikasitetit krahasues të vendeve të Bashkimit Evropian.

Bazuar në modelin e miratuar, çmimet e terminimit të thirrjeve mobile (MTR), pra çmimet, të cilat operatorët i paguajnë njëri–tjetrit do të ulen ndjeshëm, përkatësisht tarifa e deritashme prej 2.3 eurocent nga data 01 Janar 2017 zvogëlohet në 1.74 euro cent/min ose mbi 24%.

Modeli parasheh 4 faza të zvogëlimit të çmimeve në baza 6 mujore, ku nga korriku i vitit 2017 do të kemi një zbritje prej 13% për secilën fazë, përkatësisht 1.515 euro cent/min, pastaj më 01 Janar 2018 1.318 euro cent/min dhe më datë 01 Korrik 2018 1.146 euro cent/min.

Qëllimi kryesor i analizës së tregut dhe vendosjes së detyrimeve rregullatore për operatorët e telefonisë mobile është sigurimi  i konkurrencës efektive në treg.

Po ashtu zvogëlimi i çmimeve në mes operatorëve është një parakusht i rëndësishëm që do të nxitë operatorët në zbritjen e mëtutjeshme të çmimeve për thirrjet me pakicë, përkatësisht krijimin e pakove më të lira për konsumatorët dhe kualitet më i mirë i shërbimit në përgjithësi.

ARKEP gjithashtu njofton qytetarët se me ndarjen e kodit shtetëror të telefonisë +383 për Republikën e Kosovës nga ITU, janë krijuar kushtet për marrjen e masave të mëtutjeshme rregullative me qëllim të, zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit, mbrojtjes së konkurrencës në nivel të shërbimeve dhe zvogëlimit të çmimeve të përdorimit të telefonisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ky ndryshim i cili ka hyrë në fuqi nga data 1 Janar, vjen pas 2 javësh nga zyrtarizimi i kodit telefonik të Kosovës nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit. Kodi i ri telefonik pritet ti hapë rrugë edhe portabilitetit të numrit për shqiptarët e Kosovës. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>