ARKEP hap proçedurat për dhënien e brezave frekuencorë në bandën 2100 Mhz

Publikuar më: 03-11-2015

04-05-2015-9182400-arkep-raporti

Autoriteti Rregullator i Tregut të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë ka hapur proçedurat për akordimin e brezave të rinj frekuencore në shërbim të teknologjive 3G dhe 4G.

Vitin e kaluar ARKEP hapi rrugën drejt 4G-së, një teknologji e cila u shoqërua nga polemika të shumta për shkak të cilësisë së dobët që kishte dhe kjo jo për faj të dy operatorëve mobil në treg.

Më 24 Nëntor 2014 Vala njoftoi startin e shërbimeve 4G fillimisht në kryeqytet. Më 11 dhjetor edhe IPKO ndoqi hapat e konkurrentit duke njoftuar 4G-në. Qytetarët Kosovarë u bënë pjesë e shfaqjes së 4G-së e cila vetëm e tillë nuk ishte.

Me ardhjen në krye të Post Telekomunikacionit të Kosovës të Agron Mustafës, çdo gjë për Valën filloi të ndryshojë për mirë. Madje në një deklaratë, shefi ekzekutiv i PTK-së shpërtheu ndaj drejtuesve të ARKEP duke i quajtur direkt përgjegjës për pamundësinë e ofrimit të shërbimit cilësore të 4G-së. Vetë drejtori i ARKEP, Ekrem Hoxha, pranoi mangësitë e shërbimit 4G çka u bë edhe subjekt i një artikulli në PCWorld Albanian.

Nxitur nga presioni i vazhdueshëm nga Vala dhe kryeshefi i saj, ARKEP në një publikim në uebfaqen zyrtare bëri të ditur hapjen e proçedurave për autorizimin e spektrave 2×10 Mhz në bandën 2100 Mhz të cilat mund të përdoren për 3G dhe 4G.

Autoriteti njoftoi se PTK-ja kishte dërguar kërkesë për këtë spektër frekuencash në datën 10 Shtator dhe se e kishte pranuar. Por nuk mbaron e gjitha këtu sepse ARKEP do të ofrojë breza frekuencash edhe për operatorët e tjerë në këtë rast IPKO. Pas 42 ditësh autoriteti do të përcaktojë edhe kushtet e ofrimit të këtyre frekuencave për aplikimet. Nëse këto proçedura përfundojnë me sukses, operatorët kosovarë më në fund do të kenë mundësi të ofrojnë 3G dhe 4G cilësore.

Gjithashtu ARKEP njoftoi se do të ofrojnë spektër frekuencash shtesë për PTK-në dhe IPKO në bandën 1800 Mhz. Maksimumi i spektrave që mund të përfitojnë operatorët janë nga 2×5 Mhz në 2×15 Mhz. (PCWorld Albanian)

ARKEP hap proçedurat për dhënien e brezave frekuencorë në bandën 2100 Mhz
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)