Apple zbuloi telefonin 4 inç iPhone SE me çmim fillestar 399 dollar

Publikuar më: 21-03-2016

5000Është një ditë e madhe për telefonët e vegjël. Ashtu siç ishte parashikuar, ditën e sotme Apple prezantoi telefonin e shumë pritur, iPhone 4 inch dhe quhet saktësisht iPhone SE.

Ky është telefoni i parë me ekran të kësaj madhësie që nga prezantimi i iPhone 5S dhe 5C në 2013-tën. Telefoni përmban shumë karakteristika të modeleve të vjetra si ekranin me rezolucion 1136×640 piksel dhe dizajnin karakteristik të iPhone 5.

E thënë ndryshe kemi të bëjmë me një iPhone 5S disaherë më të fuqishëm dhe me më shumë potencial harduerik. Ishte zv Presidenti i Apple Greg Joswiak i cili prezantoi telefonin duke cituar gjithashtu se Apple kishte shitur 30 milion iPhone me ekran 4 inç në 2015-tën.

Ndërsa foli për karakteristikat e iPhone SE ai bëri të ditur edhe proçesorin e tij i cili do të jetë Apple A9 shoqëruar nga një proçesor dytësor M9. E thënë ndryshe iPhone SE do të jetë dy herë më i shpejtë për nga proçesori dhe tre herë më i fuqishëm në aspektin grafik.

Të tjera karakteristika janë LTE 150 Mbps, Wi-Fi 802.11ac me kapacitet 433 Mbps, Touch ID dhe Apple Pay. Mbase komponenti më i rëndësishëm është kamera 12 megapiksel e marrë “borxh” nga iPhone 6S. Kjo do të thotë se iPhone SE do të mund të realizojë video 4K dhe foto live.

“Ky është iPhone 4 inç më i fuqishëm që kemi ndërtuar ndonjëherë me çmimin më të leverdisshëm aktualisht,” u shpreh Joswiak. iPhone SE do të kushtojë 399 dollar për një model 16GB dhe 499 dollar për një model 64GB. Porositë fillojnë më 24 Mars ndërsa në shitje del nga data 31 Mars. (PCWorld Albanian)

Apple zbuloi telefonin 4 inç iPhone SE me çmim fillestar 399 dollar
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)