Apple solli një aplikacion që bën më të lehtë kalimin e përdoruesve nga Android në iOS

Publikuar më: 10-06-2015

movetoios

Së bashku me prezantimin e iOS 9, Apple ka sjellur dhe një mundësi të re për ata përdorues që dëshirojnë të bëhen pjesë e platformës iOS. Move to iOS është një aplikacion Android i cili do ti japë mundësinë përdoruesve të transferojnë të dhënat e tyre nga sistemi operativ i Google drejt sistemit operativ iOS të Apple. Në sajë të këtij aplikacioni përdoruesit mund të transferojnë fotot e tyre, kontaktet madje dhe aplikacionet që gjenden në të dyja platformat.

Apple shkroi se mjafton të shkarkoni këtë aplikacion në smartfonin tuaj Android dhe asnjë e dhënë e juaja nuk do të humbasë kur ju të filloni të përdorni pajisjen iOS. “Aplikacioni do të transferojë në mënyrë të sigurt kontaktet, mesazhet, fotot, videot, faqet e ruajtura në ueb, sfondet, këngët apo librat që ju keni shkarkuar. Përvec kësaj aplikacioni do t’ju ndihmojë të rindërtoni listën tuaj të plotë të aplikacioneve duke ju sugjeruar shkarkimin e aplikacioneve në App Store”, shkroi Apple në një postim.

Kur i gjithë proçesi i transferimit të të dhënave të ketë ndodhur atëherë ju mund të shkoni tek një dyqan fizik Apple Store, të dorëzoni smartfonin tuaj Android dhe të blini një iPhone. Aplikacioni Move to iOS do të jetë i disponueshëm në tremujorin e tretë të këtij viti përkrah iOS 9. Ky aplikacion do të jetë aplikacioni i dytë që Apple ka bërë të disponueshëm në platformën Android, pas Apple Music të lançuar së fundmi. Kompania Apple po i kushton një vëmendje të veçantë transferimit të përdorusve Android në iOS. Para pak muajsh Apple lançoi programin e shkëmbimit të smartfonëve Android me një iPhone, ndërsa tani ky aplikacion po jua bën përdoruesve akoma më të thjeshtë përshtatjen në iOS. (PC World Albanian)

Apple solli një aplikacion që bën më të lehtë kalimin e përdoruesve nga Android në iOS
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)