Apple do të mbajë Konferencën Botërore të Zhvilluesve në 8 Qershor

Publikuar më: 04-06-2015

wwdc-logoPas Microsoft Build 15 dhe Google I/O, tani e ka radhën Apple WWDC15. Kjo konferencë do të mbahet në datat  8 -12 qershor në qëndrën Moscone në San Francisco. Eventi do të hapet në orën lokale 10 paradite me anë të një fjalimi nga Tim Cook. Më shumë se 5.000 zhvillues të cilën kanë paguar për një biletë prej 1.599 dollarësh do të jenë pjesë e kësaj konference. Përveç lajmërimeve përsa i përket softuerëve të rinj të kompanisë, Apple do të mbajë dhe 100 seksione teknike qëllimi i të cilave është prezantimi i teknologjisë më të fundit të pajisjeve mobile dhe kompjuterike.

Realisht WWDC (Konferenca Botërore e Zhvilluesve) është cilësuar si eventi më i rëndësishëm i kompanisë Apple. Kjo për faktin se gjatë saj Apple debuton me produktet më të fundit. Apple është një nga kompanitë e pakta që prodhon vet harduerët dhe softuerët e produkteve të saj, kjo i ka dhënë asaj një avantazh përpara rivalëve. Ndërkohë që shumë kompani përpiqen të imitojnë Apple, për të është vitale ardhja e përditësimeve të njëpasnjëshme dhe shërbimeve të reja që do ti mbajnë përdoruesit brenda ekosistemit Apple.

Këtë vit kompania pritet të zbulojë ndryshimet që i ka bërë softuerit të saj iOS dhe Mac OS X. Apple gjithashtu do të japë detaje për shërbimin e saj të muzikës, për të cilin është folur shumë kohët e fundit. Përveç kësaj do të flitet dhe për HomeKit, Apple Pay dhe sigurisht për Apple Watch. Konferenca pritet të na japë informacion dhe për modemin e ri Apple TV dhe shërbimin online të videove të kompanisë. Të paktën këto dihen deri më tani, por me siguria Apple ka rezeveruar ndonjë surprizë për publikun. Kjo mbetet të zbulohet në 8 Qershor, ndaj qëndroni me ne. (PC World Albanian)

Apple do të mbajë Konferencën Botërore të Zhvilluesve në 8 Qershor
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)