Google Chrome OS: Dështim i strategjisë?

image

Google ka bërë të ditur se është duke punuar për një sistem operativ të dizajnuar për netbook, i cili starton brenda disa sekondash, është imun ndaj viruseve dhe është i dizajnuar të punojë shumë mirë me aplikacione të bazuara në web.

Çfarë ka për të mos u pëlqyer këtu? Shumë, nëse jeni prodhuesi numër një i softuerit, Microsoft. Pritni një shkëmbim mendimesh. Për këtë arsye, Google i bashkohet betejës me sistemin e vet operativ të quajtur Chrome OS. Ironia është se Google nuk do të mërzitet shumë nëse Chrome OS do të ketë sukses apo do të dështojë.

Edhe pse dihet shumë pak aktualisht për Chrome OS, lançimi i tij ka ngritur në këmbë industrinë e kompjuterëve dhe të softuerit. Këto industri dhe konsumatorët do ta dëshirojnë atë. Google bën të ditur se prodhuesit e procesorëve Qualcomm dhe Texas Instruments, prodhuesit e PC-ve Acer dhe Hewlett-Packard dhe zhvilluesit e softuerit si Adobe janë duke bashkëpunuar në dizajnimin dhe ndërtimin e pajisjeve për Chrome OS.
Synimi i Google me Chrome OS është se mund të degëzojë një treg të ri për softuerë si Google Docs, që punon tërësisht në shfletues të web-it. Google shpreson se ne do të bazohemi në shërbime të web-it për magazinimin dhe shkëmbimin e skedarëve, të fotografive personale dhe muzikës në pajisje të lidhura gjithë kohës me internet. Dëshironi të keni akses në fotografitë apo tabelat tuaja? Mundeni shumë lehtë – ndizni netbook-un tuaj dhe ato janë aty. Nuk do të jemi të bllokuar tashmë me kabllo në ndonjë Windows PC. Ardhmëria e Chrome OS është në PC mobilë dhe të lehtë dhe në pajisje që janë të lidhura gjithmonë në internet, duke ju dhënë akses në të dhënat dhe aplikacionet tuaja në të ashtuquajturën “cloud-computing”.

Chrome, udhëheqës i grupit netbook
Chrome OS është duke iu bashkangjitur udhëtimit shumë të shpejtë të segmentit netbook në industrinë e kompjuterëve. Derisa shitjet e laptopëve janë të njëjta, sipas kompanisë hulumtuese DisplaySearch, shitjet e netbook-ëve janë duke u rritur deri në 260 për qind në gjithë botën gjatë këtij viti.
Asgjë nuk është lajmëruar, por mos u befasoni vitin e ardhshëm nëse HP do të shesë netbook-ë me çmime shumë të ulëta me ndonjë pako wireless të Verizon Wireless. Sigurisht, prodhuesit e netbook-ve tashmë janë duke ofruar promocione të produkteve të tyre. Por Google do të ketë përparësi, pasi Chrome OS do të jetë falas dhe kërkesat harduerike për të do të jenë minimale, duke i lejuar kompanitë si HP të ndërtojnë kompjuterë ultra të lirë.
Në këtë mënyrë, Google shpreson të bëjë atë që Apple ka bërë me iPhone – të revolucionojë industrinë wireless duke krijuar pajisje me Chrome OS të lidhura me aplikacione si iTunes App Store. Thuhet se hapi i ardhshëm i Google pas netbook-ve do të jenë desktopët.
Por shumë gjëra mund të ndodhin deri në fund të vitit 2010, kur Google ka deklaruar se Chrome OS do të jetë gati për prezantimin në publik.

Sfidat që presin Chrome OS
Së pari, Google do të konkurrojë me një sistem tjetër operativ që ka tentuar pa sukses ta zëvendësojë Windows-in në PC-të e konsumatorëve. Linux-i do të tentojë përsëri me një variant të quajtur Mobiln, i cili ka përkrahjen e Intel dhe është i dedikuar për netbook. (Nuk janë dhënë të dhëna për partnerët ose datat.) Dell tashmë ka thënë se preferon Mobiln para Chrome OS.
Chrome i Google do të përballet edhe me një sfidë që vjen nga konsumatorët. A dëshirojnë konsumatorët netbook-ë të dedikuar vetëm në aplikacione web-i? Çfarë ndodh kur jeni në aeroplan ose nuk keni sinjal te dentisti?
Çështjet e privatësisë gjithashtu do të jenë pengesë për Google. Sa dëshirojmë ne që kompania të dijë për shprehitë tona dhe të të tjerëve online?
Pastaj, aty është armiku i përbetuar i Google, Microsoft. Prisni që gjiganti nga Redmond të lançojë disa granata me propaganda në drejtim të Chrome OS të Google gjatë këtij viti, ndoshta me një fushatë ku theksohen tiparet e softuerit për desktop. Kjo do të ndodhë sapo të lançohet Windows 7 – për këtë sistem operativ Microsoft-i do të na kujtojë që punon si në desktop edhe në netbook.
Kompania nuk do të ndalet me aq, duke mbrojtur perandorinë e softuerit. Prapa skenave do të mundohet të ndikojë te prodhuesit e harduerit dhe të softuerit që t’i largojë nga Chrome OS.
Së fundi, Microsoft-i duhet të paraqesë markat e veta për shërbime në web. Në korrik, ka paralajmëruar se do të paraqesë falas për konsumatorët e vet versionin online të softuerit të vet të popullarizuar Office. Microsoft do të mbetet pak mbrapa sa u përket kompleteve të bazuara në web, duke bërë të ditur që vetëm Office 2010 do të paraqitet pak muaj para se të paraqitet Google Chrome OS.



Qëllimi i paqartë i Google me Chrome OS
Ambicia e vërtetë e Google nuk ka të bëjë aq shumë me ndërtimin e një sistemi të ri operativ, aq sa ka të bëjë me ngacmimin e Microsoft-it. Duke premtuar që do të ofrojë Chrome OS, gjiganti i kërkimit është duke sfiduar Microsoft-in në garën për të ardhmen ku programet online mund të tejkalojnë softuerët për desktopë. Google gjithashtu është duke përdorur kërcënimin e Chrome OS që t’i drejtojë zhvilluesit e softuerit që të mendojnë seriozisht për ndërtimin e web shërbimeve që punojnë në web shfletues në vend se në sistemin operativ Windows.
A mendon Google se mund t'ia kalojë Microsoft-it edhe në netbook? Kjo lë për të dëshiruar, por nëse kompania i luan kartat mirë, nuk do të ketë edhe shumë rëndësi. Edhe nëse Google tërhiqet nga Chrome OS, e ka shtyrë Microsoft-in dhe shumicën e industrisë së softuerit që të marrë hapa gjigantë drejt shërbimeve online. Deri në atë kohë, Google do të jetë e lumtur duke na dhënë akses në Google Chrome Web App Store përmes një Windows PC ose Macbook ose përmes një netbook me Chrome OS.
Nëse puna është kështu, përse i ka hyrë Google kësaj meseleje? A po mundohet kompania që ta bëjë botën vend më të mirë me Chrome OS? Ndoshta, por në fund të ditës, Google dëshiron të shesë reklama. Sistemi i vet operativ Chrome OS do t’ia mundësojë të bëhet reklamuesi themelor – dhe të zotërojë pothuajse çdo aspekt të jetës tuaj dixhitale, nga sistemi operativ të cilin përdorni deri tek ajo se si kërkoni dhe punoni online.
Mos prisni që Google të brengoset kur Microsoft-i, Apple dhe të tjerët tentojnë të rrëzojnë Chrome OS me shërbime të veta të bazuara në web. Në vend të kësaj, Google mund të derdhë disa lot krokodili dhe përmes reklamave të Google Ad Words të paraqesë reklamat e Chrome OS në web shfletuesin tuaj.

PBSH: Çfarë dimë rreth Chrome OS?
Google ka premtuar se do të japë më shumë informacione rreth sistemit operativ dhe shumë shpejt. Ja çfarë dimë deri tani.
Ç'është Chrome OS? Është sistem operativ i bazuar në Linux, që Google është duke e zhvilluar. Do të fokusohet në web aplikacione, që do të punojë në ndërfaqe më të shpejtë dhe të thjeshtë.
Kush do ta përdorë? Fillimisht do të ketë si objektiv tregun e netbook-ëve, por Google planifikon ta ofrojë për PC deri te kompjuterët desktop. Do të mund të punojë edhe në disa pajisje mobile.
Si do të duket? Nuk dihet, por Google thotë që do të përdorë stilin e shfletuesit Chrome me “sistem të ri dritaresh” – ndoshta dritaret e shfletuesit me disa aplikacione online.
Ç'do të ndodhë me desktopin e kompjuterit tim? Vetëm Google e di. Ka mundësi që t’i ngjajë Android, ku aplikacionet janë të vendosura në rreshta dhe kolona, por Google thotë se këto janë dy sisteme operative të ndryshme.
Si do të mbetet kompjuteri im i sigurt? Google thotë se do ta dizajnojë strukturën e sigurisë së Chrome OS në mënyrë që përdoruesit të mos kenë të bëjnë me viruse, programe të dëmshme dhe azhurnime sigurie. Me sa duket kjo nënkupton që mbrojtja do të jetë e integruar në sistemin operativ.
Asnjë kompjuter nuk u shpëton viruseve. Ç'ndodh nëse një futet në kompjuterin tim? Pyetje e mirë. Chrome OS do të theksojë profilin e Linux, duke e bërë atraktiv për krijuesit e viruseve. Çfarë masash sigurie do të ndërmerren, nuk dihet.
A duhet të jem i brengosur për privatësinë? Google njihet për praktikat e mbledhjes së informacioneve në web, kështu që privatësia do të jetë një brengë.
Kur do të lançohet Chrome OS? Është raportuar se do të gjendet në tregun e netbook-ëve në gjysmën e dytë të vitit 2010.
-Jared Newman


Chrome OS: Privatësia brengë më vete
Mbrojtësit e privatësisë janë të brengosur rreth sasisë së të dhënave personale që Google do të mund të mbledhë përmes sistemit operativ që do të lançojë.
Google tashmë mbledh të dhëna përmes produkteve si makina e kërkimit dhe shërbimi për e-mail Gmail si dhe përmes shërbimit të reklamave AdSense. Chrome OS i jep kompanisë edhe një përparësi më shumë në mbledhjen dhe materializimin e informatave personale, thonë mbrojtësit e privatësisë.
Google dominon në disa shërbime interneti – “kërkim, e-mail, video, aplikacionet online dhe reklamim,” thekson Marck Rotenberg, president i Privacy Information Center.
"Google ka një profil të përdoruesve të web-it dhe ka ngurruar që të përkrahë disa mjete mbrojtëse të privatësisë", shton Rotenberg, si propozimi që kompanitë online të marrin leje paraprake nga përdoruesit para se të mbledhin të dhënat e tyre personale.
"Derisa Google bën punë të mirë në mbrojtjen e privatësisë përbrenda produkteve ose shërbimeve individuale, kompania ka sfida me mbrojtjen e privatësisë në pakot e veta kur i ofron si komplet", thotë Ari Schwartz, nënpresident i Qendrës për Demokraci dhe Teknologji, një grup për mbrojtjen e lirive civile dhe të privatësisë.
"Mbretëria online e Google që po zgjerohet krijon jo vetëm pyetje rreth privatësisë, por edhe rreth mirëbesimit", thotë Steve Pociask, president i American Consumer Institute Center for Citizen Research, i cili ka qenë kritik ndaj Google.
“Duke marrë parasysh dominimin e Google dhe pozicionin pothuajse monopolist në një numër tregjesh, kur fuqia e saj të shkojë edhe në disa tregje të reja, krijuesit e ligjeve dhe rregullatorët duhet të kenë kujdes,” thotë Pociask. “Ata duhet të brengosen.”
-Grant Gross

 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

Publikoni komentin tuaj comment

  • email Dërgoje me email
  • print Print verzioni
  • Plain text Vetëm tekst
Tjera nga Analiza
Lart
image
Në analizë: Kane & Lynch 2: Dog Days
Për dy njerëz që debutuan si Burra të Vdekur në vitin 2007, Adam “Kane” Marcus dhe James Seth Lynch janë në formë mjaft të mirë. ...
image
HP vazhdon dominimin në shitjet globale të PC-ve
Nëntë muaj pasi ka humbur pozitën se numri dy në shitjen globale të PC-ve, Dell është rikthyer sërish në këtë pozitë pasi që Acer ka ...
image
Android vazhdon me rritje
Android është duke u bërë çdo ditë e më shumë një prej sistemeve operative më të popullarizuara për celularë të mençur, dhe si rrjedhojë e ...
image
Ping tejkalon shifrën prej 1 milion përdoruesish
Në më pak se dy ditë rrjeti social muzikor i Apple, Ping ka arritur të tejkalojë shifrën prej 1 milion përdoruesish. ...
image
Në analizë: Mafia 2
Mafia II është paraqitur në treg dhe po sjellë një erë të re të djelmoshave të mençur dhe të fuqishëm. Nëse keni qenë duke pritur ...
image
Për 24 orë, Gmail realizon 1 milion thirrje
Shërbimi i ri i Google që lejon përdoruesit të bëjnë thirrje drejtpërsëdrejti nga Gmail, siç duket ishte një sukses i madh. Në ditën e parë ...
image
Çka do të na prezantojë Apple në shtator?
Apple ka ftuar anëtarë të medieve në një event special të paraparë për tu mbajtur me 1shtator të këtij viti. Sipas fjalëve që po qarkullojnë ...
image
Google ofron shërbim për thirrje në celularë përmes Gmail
Google ka inkorporuar thirrje VoIP në shërbimin e saj Gmail, me përkrahje për thirrje ndërkombëtare dhe video-chat. Thirrjet mund të realizohen edhe drejt numrave në ...
image
95% e Maqedonasve përdorin celularë
Agjencioni Elektronik i Komunikimit i Maqedonisë ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme se numri i përdoruesve të celularëve në Maqedoni ka arritur në ...
image
Facebook rrugës për të tejkaluar Google
Nëse trendet e tanishme vazhdojnë si të tilla edhe për 18 muajt e ardhshëm atëherë Facebook do të tejkalojë Google dhe do të bëhet ueb ...
image
Celularët e mençur mezi po presin procesorët me dy bërthama
Celularët e mençur janë rrugës për të përfituar një rritje të madhe të fuqisë pasi që prodhuesit e çipave janë duke përgatitur çipa me dy ...
image
Anglezët këtë vit po kalojnë më shumë kohë online
Sipas raportit nga kompania Angleze për hulumtim OfCom, lojërat janë më të pëlqyera sesa filmat apo muzika. ...
image
iPad, i mirë apo i mangët?
Një grumbull argumentesh rreth konsumimit dhe kreativitetit të iPad, përballë asaj nëse mund të krijohet një tabletë më i mirë. ...
image
Lady Gaga po cicëron më shumë se Britney Spears
E “çmendura” e skenës muzikore botërore Lady Gaga së shpejti do të bëhet Twitter përdoruesja numër një në botë duke tejkaluar mbretëreshën e tanishme Britney ...
image
iPhone dhe iPad, më në fund po zënë hapin me kërkesat
Shkallët e prodhimit tek Apple më në fund janë duke zënë hapin me kërkesën, duke garantuar një çerek të fuqishëm për Apple. ...
PoshtË
Etiketat
Vlereso këtë artikull
0