Albanian ICT Awards, një trashëgimi e një shpirti të madh të një vendi të vogël

Publikuar më: 19-12-2015

ict-awars-2015E gjitha filloi të premten e 16 Shkurtit të 2013-tës me edicionin e parë të Albanian ICT Awards. Mbrëmja e së premtes të 15 Majit të 2015-tës afirmoi më tej aspiratat e konkursit mbarëkombëtar në sektorin e teknologjisë së informacionit në Shqipëri me finalizimin e edicionit të tretë.

Një mision i ICTSmedia dhe atyre që besojnë në potencialin e trevave shqipfolëse në sektorin e teknologjisë së informacionit, për vite me radhë ky konkurs ka përmbushur qëllimin kryesor të identifikimit dhe shpërblimit të maratonomakëve të sektorit ICT në trevat Shqiptare.

“Për të bërë një punë të shkëlqyer më e rëndësishme është ta duash atë që bën. Duhet pak shpirt në punët e mëdha. Ashtu sikurse duhet shpirt në një sipërmarrje biznesi e cila ka sfidat dhe rrisqet e veta në rrugëtimin drejt suksesit, e njëjta vlen edhe për këtë nismë e karakterit mbarëkombëtar të cilën e kemi quajtur Albanian ICT Awards,” nënvizoi Kushtrim Shala, Bashkëthemelues i ICT Awards dhe njëkohësisht Koodinator për Shqipërinë pranë ICTSmedia.

“Objektivat e ICTSmedia ishin të qarta: Evenimenti duhet të jetë me një përbërje të pakontestueshme dhe i përmasave mbarëkombëtare i cili duhej të kishte tre shtylla kryesore strategjike – Individi, Formimi akademik dhe Klima e të bërit Biznes në sektorin ICT –  partneritet strategjik të ndërtuar mbi vlera të shëndosha dhe pikëpamje afatgjate.”

 “Talenti i individit, afirmimi akademik si pjesë integrale shoqërore dhe vënia në jetë e dijeve dhe njohurive janë në themel të çdo përballjeje e konkurrentëve në Albanian ICT Awards,” vijoi më tej Kushtrimi.

2

Jemi ballafaquar me sfida e në të njëjtën kohë jemi suprizuar nga një e ardhme që premton e “një revolucioni aq formues sa edhe transformues për shoqërinë tonë”, siç e quante Kryeministri teknologjinë e informacioni gjatë fjalimit të tij inspirues në edicionin e dytë të konkursit.

Por çfarë përfaqësojnë këto sfida? “Nuk ka qenë aspak e lehtë të synohet organizimi i një eventi mbarëkombëtar siç është Albanian ICT Awards, unik në përmbajtje dhe organizim. Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë një legjislacion të unifikuar e aq më pak një sistem arsimorë të unifikuar ku medoemos nuk mungojnë kundërshtitë mes njëra tjetrës,” shpjegoi Ardian Alaj, Koordinator i ICTSmedia për Kosovën.

“Kemi qenë dëshmitarë të organizimeve të ndryshme por veçmas ca në Kosovë e ca në Shqipëri, prandaj synimi ishte ekspansioni përtej kufinjve duke ndërtuar me profesionistët, adhuruesit, akademikët dhe mbarë komunitetin e ICT-së një gjuhë të përbashkët ashtu siç jemi në realitet, gjuhën e Albanian ICT Awards,” shtoi Ardiani më tej.

Misioni do të vijojë me Albanian ICT Awards IV “për ti folur të ardhmes me kurajo” dhe për të dëshmuar një realitetet tjetër i cili fshihet në shumë zemra shqiptarësh, ai i sipërmarrjes nëpërmjet teknologjisë së informacionit.

3

Duke diskutuar për të ardhmen e evenimentit, Kushtrimi tha, “Duke parë nga afër të gjitha nismat e ndryshme që nga viti 2000 dhe fakti se entiteti organizues është një shtëpi botuese e mediave të dedikuara të ICT-së, ideja e organizimit të kësaj ngjarje nuk ka qenë e vështirë, nëse krahasojmë me implementimin e formatit dhe përmbajtjes në thelb të kësaj nisme.

Sikur 3 vitet e fundit edhe këtë vit Albanian ICT Awards do ta ruaj formatin e vetë, origjinalitetin dhe standartin tashmë të krijuar, natyrisht duke lënë hapësira për përmirësime dhe pasurime të vazhdueshme. Muajt e fundit kanë shprehur interesimin e tyre për ta mbështetur dhe sponzorizuar këtë ngjarje në mënyra të ndryshme, për herë të parë, edhe investitorë “engjuj” gjë që është diçka e re në tregun tonë e këtij karakteri.”

Në 2013-tën ICT Awards vinte si iniciativa e parë e këtij lloji duke përfshirë çdo hapësirë gjeografike ku rrehin zemra shqiptarësh. Duke promovuar teknologjinë e informacionit të një niveli tjetër, puna e bërë nga ICTSmedia ofronte një mundësi të artë për të gjithë të talentuarit për të manifestuar talentin e tyre,  ku pa dyshim nuk do ta kishte shkëlqimin e sotëm pa mbështetjen mediatike të Partnerit Strategjik, Fondacionit “Dritan Hoxha” dhe ekzekutives zj. Vjollca Dako.

“Është pozitiv dhe vlerësues fakti se që nga edicioni i parë e deri më sot kemi pranuar një numër të konsiderueshem të aplikimeve ku i është kushtuar vëmendje e veçantë përgjegjshmërisë sociale përmes zhvillimit të aplikacioneve,” vlerësoi Ardiani.

U shpërndanë 5 çmime për të identifikuar udhëheqësit e këtij identiteti për kontributin e lartë të dhënë, një vlerësim i cili inkurajon edhe kontributin në drejtim të së mirës sociale dhe formimit shoqëror.

Ardiani tha se, “Ajo çfarë kam vënë re tek të rinjtë shqiptar sesi dështimi është transformuar në mjet përfitimi, teksa përpiqeshin të sofistikonin arritjet duke konkuruar çdo vit rrjesht. Kjo është pikërisht çfarë një shoqëri në zhvillim ka më shumë nevojë, kurajo.

Falë profesionalizmit dhe objektivizmit gjendur në themel të këtij organizimi, Albanian ICT Awards ka kultivuar besimin e nevojshëm tek inovatorët e rinj drejt shtigjeve të reja të teknologjisë së informacionit”.4

Tradicionalisht muaji Shkurt shënon startin e konkursit, dhe e njëjta vlente edhe për edicionin e këtij viti, të tretin për Albanian ICT Awards. Në fushën e vlerësimeve u shtuan dy kategori të reja për të nxitur vënien e talentit në shërbim të së mirës sociale duke adresuar sektorin publik. Mirënjohja ndaj Femrës Inovatore sfidoi problemin kryesor që shumë shoqëri europiane po e vuajnë: Diversitetin.

2016-ta e vendos Albanian ICT Awards përballë përgjegjësive të reja burimi i të cilave vjen nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve të teknologjisë së informacionit.

“Jam i sigurt që risitë e këtij edicioni do jenë një sfidë jo e vogël për vende kaq modeste ekonomikisht sa janë Shqipëria me Kosovën por jo e pamundur. Mjafton vetëm pak shpirt për punë të mëdha”, inkurajoi Kushtrimi.

Ndërsa Ardiani duke vlerësuar ICT Awards si nismë e cila ushqehet edhe nga përpjekje komunitare u shpreh: “Mirënjohje për kontributin e paçmuar të stafit, bashkëpunëtorëve dhe në veçanti kontributorëve të cilët në mënyrë krejtësisht vullnetare janë angazhuar për të ndihmuar në organizimin e Albanian ICT Awards.” (ICTSmedia)

Albanian ICT Awards, një trashëgimi e një shpirti të madh të një vendi të vogël
9 votes, 5.00 avg. rating (98% score)