AKEP: Tre mujori i fundit i 2015-tës shënoi rritje të përdorimit të internetit broadband

Publikuar më: 25-03-2016

shutterstock_fiberAutoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zgjodhi ditën e sotme të publikonte raportin e statistikave më të fundit të sektorit që mbikëqyr për tre mujorin e fundit të 2015-tës. Si për çudi kjo periudhë tregon një rënie e përdorimit të shërbimeve mobile dhe rritje të shërbimeve fikse.

Telefonia Mobile

Nga një panoramë e përgjithshme ky raport vë në dukje rënien e numrit të përdoruesve aktivë të telefonisë mobile si një nga sektorët më të rëndësishëm. Me një rënie 5 %, nga 3 milion e 591 mijë që ishte tremujorin e tretë, kjo shifër ra në 3 milion e 400 në tremujorin e fundit të 2015-tës.

Ndër operatorët mobil rënien më të madhe ishte operatori Plus Communication, mbase nxitur edhe nga ngërçi me teknologjinë 3G të cilën kompania akoma nuk po e ofron si një shërbim komercial po vetëm si fazë testimi. Plus shënoi rënie me 2% ndërsa Telekom u rrit me 1%. Pjesa e tregut e Vodafone dhe Eagle Mobile ngelet e paprekur përgjatë kësaj periudhe.

AKEP gjithashtu bëri të ditur se gjatë tre mujorit të fundit u portuan 27,546 numra celularë. Vodafone vijon të kryesojë tregun me 1,611,086 abonentë aktivë, ndjekur nga Telekom me 1,085,542 abonentë, Eagle Mobile me 484,350 abonentë dhe Plus 219,977 abonentë.

Telefonia Fikse

Ky shërbim pavarësisht se është sa tradicional aq edhe i leverdisshëm për qytetarët shqiptar duket të mos ketë gjetur asnjëherë mbështetjen e duhur nga konsumatorët. Për të paktën tre vitet e fundit adoptimi i këtij shërbimi nga shqiptarët ka stazhinuar dhe këtë e domonstrojnë më së miri statistikat e fundit ku ka një ndryshim të papërfillshëm mes dy tre mujorëve në aspektin e numrit të konsumatorëve.

Me një normë penetrimi 8% shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, telefonia fikse numëron 227 mijë konsumatorë. Tirana është qyteti me penetrimin më të lartë prej 13.7 % sipas AKEP ndërsa Kukësi është ai me penetrimin më të vogël. Gjatë kësaj periudhe janë portuar vetëm 589 numra fiksë.

Interneti Broadband

Mbase një nga sektorët më premtues të komunikimeve elektronike, Internetit Broadband po shijon ditët më të bukura sidomos ai fiks. Përgjatë tre mujorit të fundit të 2015-tës numri i abonentëve arriti në 243 mijë, një rritje me 6% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Këto shifra ngelen inkurajuese për vetë faktin se norma e penetrimit është realitivisht shumë e ulët, vetëm 8.6 %.

Ndërsa shërbimi lider në këtë sektor është pikërisht interneti 3G/4G i cili po merr hov sidomos me akordimin e liçensave 4G për Vodafone, Telekom dhe Eagle Mobile. 1.3 milion ishte numri i përdoruesve në tre mujorin e fundit të 2015-tës ndërsa norma e penetrimit është më e larta e një shërbimi të komunikimeve elektronike prej 46%.

ALBtelecom ngelet operatori lider ku zotëron 40 % të abonentëve ndjekur nga Abcom me 21 %, Tring me 13 %, Abissnet me 10%, Nisatel 3 % dhe të tjerët 13%.

Risia e AKEP në këtë raport ishte pikërisht një seksion dedikuar shërbimeve Tri-Play (Internet, TV dhe Telefon). Me dy lojtarë madhorë në treg si Abcom dhe ALBtelecom që ofrojnë këtë shërbim, numri i abonentëve llogaritet në 150 mijë në fund të 2015-tës. Më shumë detaje rreth këtyre statistikave mund të gjeni në uebfaqen e AKEP. (PCWorld Albanian)

AKEP: Tre mujori i fundit i 2015-tës shënoi rritje të përdorimit të internetit broadband
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)