Abcom mohon spekulimet e blerjes nga operatori mobil më i madh në vend Vodafone

Publikuar më: 12-07-2016

vodafone-redKatër ditë më parë shpërthyen spekulimet se operatori mobil më i madh në vend, Vodafone, ka blerë kompaninë e njohur të shërbimeve 3N1 ABCOM. Sipas citynews, burime të afërta me redaksinë e saj kishin konfirmuar se marrëveshja mes Vodafone dhe Abcom tashmë ishte finalizuar.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i këtij të fundit me një njoftim publikuar në uebfaqe ku shkruhej: “Të nderuar ndjekës dhe klientë të ABCom. Nëpërmjet këtij njoftimi ABCom dëshiron t’ju bëjë me dije se: Lajmi i shpërndarë nga një faqe lajmesh se ABCom është blerë nga kompania Vodafone është i Pavërtetë.

Kompania ABCom bashkëpunon me kompaninë Vodafone dhe të gjitha kompanitë e tjera te rrjeteve celulare dhe Fiks, me synimin për t’i ofruar tregut shqiptar produkte dhe shërbime me cilësi e standarde të larta. Lajmi i publikuar nga një faqe online “Jo dhe aq kredibël” është lehtësisht i verifikueshem nga kushdo si i pavertetë!

ABCom respekton dhe vlerëson lirinë e mediave dhe beson se është në seriozitetin e tyre që të verifikojnë e konfirmojnë zyrtarisht informacionet e tyre përpara publikimit.”

Kjo ngjarje vjen më shumë se një vit nga spekulimet se OTE në pronësi të Deutsche Telekom e cila gjithashtu zotëron Telekom Albania në Shqipëri ishte përpjekur për të gjetur një akord me grupin Çalik për blerjen e ALBtelecom. Gazeta greke Ekathimerini shkruante se konsorciumi turk kishte kërkuar 230 milion Euro, një shifër e cila duket të ketë qenë e papranueshme për gjermanët.

Ndërsa është e qartë se as Vodafone e as Telekom Albania nuk kanë për tu mjaftuar vetëm me shërbimet mobile në Shqipëri, nëse skenarët e mësipërm bëhen realitet, një rivalitet i ashpër i trashëguar edhe në shtete të tjera i pret dy gjigandët edhe në Shqipëri. Nuk ka dyshim që të dy kompanitë janë në kërkim të ofrimit të shërbimeve fikse në tregun shqiptar dhe Abcom e ALBtelecom si dy lojtarët madhor janë shënjestër e shumë investitorëve të huaj.

Kujtojmë se Vodafone është operatori lider në tregun e shërbimeve mobile në Shqipëri me 1,618 milion abonentë ndjekur nga Telekom Albania me 1,055 milion abonentë. Që nga Gushti i vitit të kaluar Vodafone ka filluar ofrimin e shërbimeve 4G LTE në gjithë Shqipërinë. (PCWorld Albanian)

Abcom mohon spekulimet e blerjes nga operatori mobil më i madh në vend Vodafone
0 votes, 0.00 avg. rating (0% score)